Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se gjetjet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh) do t’i adresojnë me shumë seriozitet.
Kreu i Qeverisë ka thënë se Kosova ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit.
Ai ka shtuar se kritikat do të merren me shumë seriozitet, dhe do të trajtohen me përpikëri.
“Ne bëjmë maksimumin e mundshëm, nuk e kursejmë as vullnetin, as përpjekjen e as dijen që e kemi. Gjatë këtyre dy viteve Kosova ka shënuar përparime të mëdha, a jemi aty ku duam, ende jo. Mirëpo të gjitha ministritë, teksa shënojmë këtë javë dy vjetorin në qeverisje, e bëjnë më të mirën e mundshme. Edhe vërejtjet, kritikat të cilat na jepen do t’i marrim me shumë seriozitet e do t’i trajtojmë me përpikëri”, ka thënë Kurti, raporton EO.
Ai ka folur edhe për marrëveshjen e mundshme me Serbinë. Sipas tij, presidenti Vuçiq e ka refuzuar marrëveshjen në Bruksel e Ohër.
Në këtë marrëveshje, Kurti ka thënë se duhet të jetë edhe zbardhja e fatit të të pagjeturve.
“Me datën 18 gusht të vitit të kaluar e kemi pasur marrëveshjen, por ka refuzuar ta nënshkruaj presidenti i Serbisë, siç refuzoi edhe më 27 shkurt në Bruksel, siç refuzoi edhe më 18 mars në Ohër. Teksti është i dakorduar qysh me 18 gusht të vitit të kaluar dhe unë besoj që ai dakordim porsa të behët marrëveshje ndihmon shumë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, e sigurisht që është i nevojshëm edhe drejtësia për viktimat. Në këtë rast viktimat nuk janë vetëm të zhdukurit me dhunë por viktima janë edhe familjet e tyre dhe shoqëria në përgjithësi”, u shpreh Kurti.
Kreu i Qeverisë nuk ka dashur të komentojë protestën e paralajmëruar nga PSD-ja kundër Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Për besë nuk e kam parasysh, po çka me komentua, protesta të shtunën sot është e martë”, tha Kurti. /Telegrafi/