Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar 23 vjetorin e masakrës së Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër të Drenasit.
Kurti në një postim në Facebook, ka shkruar se ende janë të njoma plagët nga gjenocidi i Serbisë.
“23 vjet më parë forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe, vranë dhe masakruan 77 shqiptarë civilë të paarmatosur. Midis tyre pesë foshnja, nga gjashtë muaj e deri në dy vjeç. Por këto krime nuk mund të zhduken. E as të harrohen. Mbeten dëshmi radhët e varreve dhe dhimbja në shpirtra”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë:
Në Poklek të Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër të Drenicës, të njoma janë plagët nga gjenocidi i Serbisë.
23 vjet më parë forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe, vranë dhe masakruan 77 shqiptarë civilë të paarmatosur. Midis tyre pesë foshnja, nga gjashtë muaj e deri në dy vjeç. Për shtetin serb që po zbatonte planin e gjenocidit ndaj shqiptarëve nuk kishte rëndësi mosha.
Pasi i vranë, trupat e viktimave të Masakrës së Poklekut i dogjën bashkë me shtëpitë. Disa i dogjën dy herë e disa i hodhën në puse. Ndërsa trupat e viktimave të Masakrës së Çikatovës i dërguan në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi. Ishin përpjekje të forcave të armatosura serbe për të zhdukur gjurmët e krimit të Serbisë në Kosovë.
Por këto krime nuk mund të zhduken. E as të harrohen. Mbeten dëshmi radhët e varreve dhe dhimbja në shpirtra.
U prehshin në paqe dëshmorët dhe martirët e kombit!
Lavdi! /Telegrafi/