Kryeministri Albin Kurti ka reaguar në Twitter pas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për heqjen e dokumenteve për hyrje-dalje.
Ai ka thënë se reciprociteti duhet të jetë fryma e zgjidhjeve parimore.
“Reciprociteti duhet të jetë fryma e zgjidhjeve parimore. Javën e kaluar fola me “Die Welt” për masat tona reciproke për targat e makinave dhe dokumentet e hyrje-daljeve me Serbinë, por gjithashtu fola edhe për fuqinë tonë punëtore të re dhe të kualifikuar, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e demokracisë”, shkroi Kurti.
Gjatë kësaj jave, Escobar dhe Lajçak qëndruan në Kosovë dhe Serbi, ku diskutuan me liderët shtetërorë dhe partiakë për çështjen e dokumenteve dhe targave. Ata thanë se palët duhet të zotohen se do të shmangin dhunën më 1 shtator.
Vendimi i 26 qershorit i Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe rriti tensionet në veri të vendit.
Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë vendosën barrikada në rrugë në shenjë pakënaqësie për këto dy vendime. Kosova më pas shtyu zbatimin e tyre deri më 1 shtator.
Më 18 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë rundit të dialogut në Bruksel, dështuan të arrinin marrëveshje për targat dhe dokumentet, që rritën tensionet mes shteteve.
Por, bashkësia ndërkombëtare u angazhua për të bindur palët që të arrinin marrëveshje për të shmangur përshkallëzimin e situatës më 1 shtator, kur duhej të hynte në fuqi vendimi për dokumentet serbe, por edhe për targat.
Kosova për disa orë më 1 gusht zbatoi vendimin për dokumentin për hyrje-dalje, derisa serbët hoqën barrikadat.
Kosova ka argumentuar se lëshimi i një dokumenti të tillë u bë duke respektuar një marrëveshje që Kosova dhe Serbia kishin arritur më 2011, në kuadër të dialogut. Serbia që nga ajo kohë kishte lëshuar një dokument të tillë për të gjithë shtetasit e Kosovës./Telegrafi/
Reciprocity should be the spirit of principled solutions. Last week I spoke to @welt about our reciprocal measures on car plates & entry-exit docs w/ Serbia but also about our young, skilled labour force, fight against corruption & strengthening democracy. https://t.co/giWnnTbfEJ
— Albin Kurti (@albinkurti) August 27, 2022