Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur mbështetjen për Ukrainën teksa ky vend ka shënuar dyvjetorin e përballjes me invazionin rus.
Kurti ka thënë se përball agresionit brutal, populli ukrainas i ka rezistuar me sukses përpjekjes së Rusisë për të kapur dhe pushtuar Kievin.
“Ushtarët e tyre vazhdojnë luftën e një populli të tërë – aq të guximshëm dhe të vendosur si kurrë më pare”, ka shkruar kryeministri në rrjetin social “X”.
Ai ka deklaruar se Kosova vlerëson përpjekjet e Ukrainës dhe premton mbështetjen e saj të palëkundur, “derisa fitorja të jetë e tyre”.
“Kanë kaluar 2 vjet që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, i cili ka rezultuar me mbi 6 milionë refugjatë ukrainas jashtë vendit, mijëra vdekje të civilëve dhe shkatërrim të shtëpive, jetëve dhe mjeteve të jetesës”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se “kërcënimi autoritar për sigurinë evropiane nuk mund të ishte më i mprehtë”.
Faced with brutal aggression, the Ukrainian people have successfully resisted Russia’s attempt to capture & occupy Kiev. Their soldiers carry on the struggle of an entire people—as brave & resolute as ever. We salute them & pledge our unwavering support, until victory is theirs.
— Albin Kurti (@albinkurti) February 24, 2024
Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova i qëndron përkrah Ukrainës në dyvjetorin e pushtimit të saj nga Rusia, duke nënvizuar se “ne e dimë se si është ta paguash çmimin më të lartë për liri”.
“Ne e dimë çfarë është dhimbja për humbjen e fëmijëve të pafajshëm; për dhunën seksuale në luftë; për varret masive me eshtrat e më të dashurve tanë. Por, liria triumfoi dhe do të triumfojë përsëri. Rroftë Ukraina”, shkroi Osmani në rrjetin social X.
Sot janë bërë dy vjet prej se Rusia e nisi pushtimin e paprovokuar dhe të jashtëligjshëm të Ukrainës më 24 shkurt 2022. /Telegrafi/