Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në takimin me temën “Vlerësimi i gjendjes aktuale të komunitetit turk në Kosovë’’, për të diskutuar çështje të ndryshme të këtij komuniteti në Republikën e Kosovës, sfidat me të cilat përballen ata, shqetësimet e tyre, por edhe idetë e modalitetet në tejkalimin e këtyre pengesave.
Sipas njoftimit, në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti vlerësoi lart kontributin e komunitetit turk në Republikën e Kosovës për zhvillimin, demokratizimin, por gjithashtu edhe për pavarësimin e Republikës së Kosovës.
‘’Ne e dimë që edhe para luftës e pas luftës por edhe para shpalljes së pavarësisë e pas shpalljes së pavarësisë raportet tona ndërnjerëzore, qytetare, politike kanë qenë gjithmonë të larta’’, tha Kurti.
Kryeministri u shpreh i bindur se mund të bëjmë më shumë dhe mund të bëjmë më mirë duke evidentuar pengesat, vështirësitë, sfidat që i kemi dhe duke i tejkaluar së bashku me vullnet qytetarë e shoqërorë në njërën anë por edhe në anën tjetër me angazhim e përgjegjësi institucionale.
Duke folur për lidhjen mes Kosovës e Turqisë dhe raportet mes tyre, kryeministri veçoi se asnjëherë nuk duam që në lidhjen e Kosovës me Turqinë të mos merr pjesë komuniteti turk i cili është element thelbësor i urës së fuqishme midis dy vendeve tona.
Në këtë takim e pranishme ishte edhe zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, znj. Emilija Rexhepi, e cila e falënderoi kryeministrin Kurti për mbështetjen që i ka dhënë lidhur me të drejtat e njeriut dhe komuniteteve, pa asnjë dallim.
Gjatë takimit, u fol për çështje të ndryshme me rëndësi për komunitetin turk. Të pranishmit e falënderuan kryeministrin Kurti për gjithë çfarë ai ka bërë dhe po bën për komunitetin turk. /Telegrafi/