Site icon Telegrafi

Kurti: Për dikë bëhet shumë zhurmë, për rastin e Tomorit ende s’ka reagim shtetëror

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka reaguar për arrestimin e ish-luftëtari i UÇK-së, Tomor Morina, i cili është ndaluar në Maqedoninë e Veriut, me fletë arrest të lëshuar nga Serbia, kundër luftëtarëve UÇK-së.

Kurti në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se teksa Serbia i kërkon të gjithë, si pjesëtarë të UÇK-së, institucionet e Kosovës reagojnë varësisht nga pozicioni i ushtarit.

Sipas tij, për dikë bëhet zhurmë e madhe pse intervistohet diku, a për Tomor Morinën ende ska reagim shtetëror, edhe pse ai është në para procedurë për ekstradim.

Kurti po ashtu iu ka bërë thirrje institucioneve diplomatike e qeveritare të vendit që të ndjekin urgjentisht të gjitha procedurat në mënyrë që Tomori sa më shpejt të lirohet.

Lexoni më poshtë postimin e plotë të Kurtit në Faceook:

Këto ditë, gjatë një udhëtimi pune jashtë vendit, mora vesh nga mediet se është ndaluar në Maqedoni të Veriut ish-luftëtari i UÇK-së, Tomor Morina. Ndalimi i tij ka ardhur si pasojë e flet arrestit të lëshuar nga Serbia, kundër luftëtarëve tanë çlirimtarë.

Tomori është ndër të shumtë ushtarë të UÇK-së të cilët janë arrestuar dhe disa edhe kanë mbajtur vite burg me flet arreste nga Serbia, e për shumë prej të cilëve qytetarët tanë kanë dëgjuar vetëm kur janë liruar nga burgu, ama pushtetarët ndërkohë kanë negociuar me Serbinë, pa e ngritur kurrë si kusht këtë çështje.

Karshi flet arresteve sistematike të Serbisë kemi pasur gjithnjë reagime të improvizuara të shtetit të Kosovës. Teksa Serbia i kërkon të gjithë, si pjesëtarë të UÇK-së, institucionet tona reagojnë varësisht nga pozicioni i ushtarit. Për dikë bëhet zhurmë e madhe pse intervistohet diku, a për Tomor Morinën ende ska reagim shtetëror, edhe pse ai është në para procedurë për ekstradim. Me trajtimin e diferencuar të ushtarëve, vetë Kosova e pasluftës nuk po e mbron UÇK-në.

Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të ushtarit të UÇK-së dhe qytetarit të Republikës së Kosovës, Tomor Morina. I bëjmë thirrje institucioneve tona diplomatike e qeveritare të ndjekin urgjentisht të gjitha procedurat në mënyrë që Tomori sa më shpejt të lirohet. /Telegrafi/

Exit mobile version