Në vizitën e tij të parë zyrtare në Paris, ku u prit nga presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka dhënë intervistë për gazetën franceze “Le Monde”.
Në intervistë, kryeministri Kurti ka theksuar se prioriteti i tij diplomatik është të fitojë njohje nga Serbia, diçka që Beogradi vazhdimisht e ka refuzuar.
Kurti në këtë intervistë ka thënë po ashtu beson që administrata Biden nuk merr shumë parasysh atë që Trump kishte bërë në mënyrë diplomatike.
“Le Monde”: Ky dialog serbo-kosovar po zhvillohet nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian dhe nga pala amerikane. Pasi administrata Trump dëshironte shkëmbime territoresh midis Serbisë dhe Kosovës, a shihni ndryshim diplomatik që nga zgjedhja e Joe Biden?
“Zgjedhja e Presidentit Biden është një sinjal shumë pozitiv. Së pari, Joe Biden është bërë udhëheqësi i socialdemokratëve në botë, është një kohë shumë interesante. Së dyti, unë besoj se administrata amerikane nuk merr shumë parasysh atë që zoti Trump kishte bërë në mënyrë diplomatike. Kjo histori absurde e shkëmbimit të territoreve ka mbaruar, nuk flasim më për të”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/