Site icon Telegrafi

Kurti për Deklaratën kushtetuese të 2 Korrikut: Pararendëse e Republikës së parë të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar delegatët që kanë marrë pjesë në nënshkrimin e Deklaratës kushtetuese të 2 Korrikut, të vitit 1999, në mesin e tyre edhe Adem Mikullovcin.

Kurti ka thënë se “para 31 vitesh, nën rrethimin e hekurt të tankeve e autoblindave të regjimit të Serbisë, triumfoi vullneti i lirë qytetar mbi legalitetin shtypës të Serbisë”.

“Para dyerve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës, 111 delegatë miratuan publikisht Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e pavarur, si pararendëse e Republikës së parë të Kosovës”, thotë ai.

Tutje, ai ka thënë se “Nënshkrimi i kësaj deklarate, nga 114 delegatë, shprehte kërkesën e kombit shqiptar për liri dhe vetëvendosje politike në ish Jugosllavi”.

“Sot kujtojmë veprën e guximshme të delegatëve nënshkrues, që i mveshi ata me petkun e lavdisë së përjetshme.

Në këtë 2 korrik të parë pa të, kujtojmë atdhedashësin artist, Adem Mikullovci, deputet i të dy republikave të Kosovës: asaj të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, dhe të 17 shkurtit 2008.Shëmbëlltyra e tyre, udhërrefyes për ne”, thotë mes tjerash kryeministri Kurti.

Ndryshe, në shënim të 31-vjetori të miratimit të deklaratës kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990, në oborrin e Kuvendit të Kosovës aty ku ishte lexuar kjo deklaratë është shpalosur edhe një pllakë në përkujtim të kësaj date. /Telegrafi/

Exit mobile version