Site icon Telegrafi

Kurti për Bajram vizitoi tre policët e rrëmbyer nga Serbia, i falënderon për qëndresën e tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë së mërkurës ka vizituar tre policët që ishin rrëmbyer nga forcat serbe më 14 qershor.

Kurti gjatë vizitës ka shprehur mirënjohjen e tij për policët dhe familjet e tyre për mbështetjen e dhënë ndaj institucioneve të Republikës.

Lexo po ashtu Kurti viziton Policinë e Kosovës në veri, iu shpërndan bakllavë

“Për Bajram te Beqir Sefa, Rifat Zeka e Shemë Mustafa, tre oficerët tanë të Policisë, që ishin rrëmbyer me 14 qershor nga forcat e armatosura serbe, e u mbajtën rob padrejtësisht për 13 ditë nga Serbia. Mikpritje fort e ngrohtë, sepse festa ishte e dyfishtë në Peran, Letanc dhe Mitrovicë. I falënderova të tre policët tanë dhe familjet e tyre për qëndresën, besim e treguar dhe mbështetjen e dhënë ndaj institucioneve të Republikës”, ka thënë ai në Facebook.

Kryeministri me rastin e Festës së Kurban Bajramit, vizitoi edhe njësitet policore në veri të Kosovës.

I shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe zëvendësi i tij, Blerim Gashani, Kurti ndaloi në vendbanimin multietnik, Kroi i Vitakut, që gjendet në komunën e Mitrovicës së Veriut./Telegrafi/

Exit mobile version