Telegrafi

Kurti për Al Jazeera: Nuk jap garanci për mosarrestimin e kriminelëve që janë në listën e zezë të SHBA-së

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në një intervistë për Al Jazeera ka folur për zhvillimet e fundit në vend, tensionet në veri, dialogun me Serbinë, Asociacionin etj.

Kurti në këtë intervistë tha se nuk i ka dhënë Beogradit ndonjë garanci për mosarrestimin e kriminelëve që janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri Kurti duke folur për krizën e shkaktuar nga vendosja e barrikadave në veri, tha se ende nuk ka përfunduar.

“Kriza nuk ka përfunduar ende sepse Kosova dhe Serbia  kanë raporte abnormale. Ne kemi nevojë për një marrëveshje për normalizimin e plotë të raporteve, në qendër njohjen reciproke…”, tha ai, duke shtuar se kriza nuk ka përfunduar po ashtu sepse strukturat ilegale janë kthyer së fundi në grupe kriminale dhe kanë ngritur 16 barrikada gjatë dhjetorit.

Ai mohoi se i ka dhënë garanci Beogradit për mosarrestimin e kriminelëve që janë në listën e zezë të SHBA-së.

“…Natyrisht, jo. Garancia e vetme si qeveria demokratike është barazia për të gjithë, kushtetutshmëria nëpër të gjitha komunat e Kosovës, rritja ekonomike dhe mirëqenia sociale… Nuk mund të jap garanci për kriminelët që janë të listat e zeza të ShBA-së…”, tha ai, raporton Telegrafi.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës ka folur edhe lidhur me Asociacionin, ndërsa tha se nuk mund të ketë Asociacion një-etnik.

“Asnjë serb i Kosovës nuk më ka shkruar ndonjëherë ndonjë letër, në bazë të së cilës kërkon Asociacion në bazë një-etnike”, u shpreh Kurti, duke shtuar se Beogradi insiston në këtë, jo serbët e Kosovës.

Kurti ka folur edhe lidhur me praninë e grupit mercenar rus Wagner në veri.

Ai po ashtu u përgjigj edhe lidhur me idetë që vite më parë qarkullonin për shkëmbimin e territoreve.

“Projekti politik i shkëmbimit të territoreve ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur…”, tha ai.

Kurti më tej tha se kjo do të ishte formulë për luftë dhe shkëmbimi i territoreve nuk do të ndodhë. /Telegrafi/