Telegrafi

Kurti pas takimit me ministren gjermane: S’mund të ecim para në dialog, pa u distancuar Vuçiqi nga Millosheviqi e Putini

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, po qëndron në Kosovë, në kuadër të vizitës së saj në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ajo në Prishtinë u prit nga kryeministri Albin Kurti.

Në një paraqitje para mediave pas takimit, Kurti ka folur për dialogun dhe takimet në Berlin.

“Dialogu duhet të rezultojë me marrëveshje por njohja duhet të jetë në qendër të tij. Nuk them që njohja duhet të jetë i vetmi element i marrëveshjes, por njohja duhet të jetë në qendër. Do të ketë edhe elemente tjera, por ato elemente nuk kanë kuptim pa njohjen. Kosova nuk mund të kthehet para vitit 1999 kur u çlirua. Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2008 kur u shpallë pavarësia. Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2010 kur u dha vendimi i GJND-së. Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2012 kur mbaroi mbikëqyrja e pavarësisë”.

Lexo po ashtu Ministrja gjermane e Mbrojtjes: Shpresoj të ketë vendime të mira drejt njohjes reciproke nga takimi i 13 majit në Bruksel

Kurti thotë se duhet të ecet përpara, por sipas tij për këtë progres Vuçiqi duhet të distancohet nga Millosheviqi e Putini.

“Ne duhet të ecim përpara, e për të ecur përpara presidenti i Serbisë duhet të distancohet nga Millosheviqi e Putini. Kërkesa për kompromise në kushtet kur Vuçiqi asnjëherë nuk distancohet nga Mollosheviqi e Putini nuk është kërkesë për zgjidhje”, deklaroi tutje Kurti.

Megjithatë, ai është shprehur optimist se mund të ketë diçka konkrete më 13 maj.

“Më 13 maj, unë shpresoj që përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet për zgjidhje reciproke për targat, edhe për çështjen e mospagesës së energjisë në veri të Kosovës, e po ashtu edhe për nevojën për të përshpejtuar çështjen e zbardhjes së fatit të të pagjeturave, të të zhdukurve me dhunë”.

Kurti ka thënë se është për dialog nëse respektohet barazia e palëve./Telegrafi/