Telegrafi

Kurti pas koncertit të Lahajt: Interesimi i madh i qytetarëve mbrëmë është edhe thirrje për aktivitete të tjera kulturore e artistike

Foto: Facebook

Tenori shqiptar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, mbrëmë ka mbajtur një koncert në Prishtinë.

Megjithatë pak orë para koncertit ai u njoftua se kishte ndërruar jetë nëna e tij, por që sërish vazhdoi performancën para publikut.

Lidhur me këtë një reagim së fundmi e ka bërë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili po ashtu ishte prezent.

Ramë Lahaj (Foto: Instagram)

Postimi i plotë i Kurtit (pa ndërhyrje):

“Nëna vdiq sot”, kështu e mbylli koncertin mbrëmë Ramë Lahaj, njësoj siç e fillon Albert Kamy romanin e tij të famshëm “I huaji”.

Në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, Ramë Lahaj&Friends na mblodhën për të na dhuruar emocione rrënqethëse. 13 vepra, 7 performues, një orkestër e tërë.

Filloi me “Bareshën” e Rexho Mulliqit, pastaj “Granada”, “Nemico della patria?!”, “Tacea La Notte Placida… Di Tale Amor”, “La forza del destino”, “Dio, che nell’alma infondere”, “Për ty Atdhe”, “Për mu paska ken kismet”, “E lucevan le stelle”, “Time to say goodbye”, “Non ti scordar di me”, “O moj e bukura Arbëri” dhe “O vendi im”.

Vlera të larta muzikore dëgjuam mbrëmë. Përveç Ramës sonë ishin edhe Simone Piazzola, Lana Kos, Xhelal Bakraqi, Isaneli e Arditi dhe Adhurim Grezda.

Pas një viti të mundimshëm, jeta ka filluar t’i rimerr ngjyrat e saj. Interesimi i madh i qytetarëve mbrëmë është edhe thirrje për aktivitete të tjera kulturore e artistike”. /Telegrafi/