Site icon Telegrafi

Kurti paralajmëron takime për dialogun gjatë majit, opozita skeptike  

Foto: Arkiv

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se për çështje të dialogut me Serbinë do të takohet edhe me subjektet politike opozitare për të marrë edhe qëndrimet e tyre për procesin.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu thotë se këto takime do të mbahen gjatë muajit maj.

Mirëpo opozita po akuzon qeverinë se kanë mungesë komunikime me ta në raport me procesin e dialogut.

“Fillimisht mund të themi se ne nuk e kemi platformën e dialogut me parimet e qarta. Natyrisht derisa nuk kemi një platformë të tillë, ftesa përmes mediave duket joserioze. Pra fillimisht duhet ta kemi platformën e më pas ne do të japim kontributin tonë sigurisht përmes Kuvendit të Kosovës”, deklaroi për RTV Dukagjinin, zyrtarja e LDK-së, Sibel Halimi.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka deklaruar se në këtë fazë të dialogut kjo parti nuk do të ketë bashkëpunim me Qeverinë Kurti, përcjell Telegrafi.

“Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se në këtë fazë të dialogut nuk merr pjesë në dialog, vetëm nëse flitet për një marrëveshje finale me Serbinë. Sot zoti Kurti pos deklarimeve politike nuk dha diçka të shkruar por vetëm supozime e spekulime dhe asgjë reale”, deklaroi Haxhiu.

Kurti e ka konfirmuar se Kosova në muajin qershor do të merr pjesë në rifillim e dialogut me Serbinë./Telegrafi/

Exit mobile version