Kryeministri Albin Kurti, deklaroi sot gjatë konferencës me kancelarin austriak, Karl Nehammer, se ata që mund të tentojnë të nxisin tensione më 3 prill në Kosovë, datë kur janë planifikuar të mbahen zgjedhjet parlamentare e presidenciale të Serbisë, nuk do të kenë sukses.
Ai ka konfirmuar se janë në kontakte të vazhdueshme me ambasadat e vendeve të QUINT-it, sidomos me Shtetet e Bashkuara dhe shtoi se beson që nuk do të ketë probleme të dielën e 3 prillit.
“Nuk kemi diskutuar veçanërisht për zgjedhjet e 3 prillit që i organizon Serbia. Dëshirojmë që në Kosovë të respektohet Kushtetuta, ligji dhe Rezoluta e 15 janarit dhe nuk duam t’ia pamundësojmë qytetarëve të Kosovës që mund të kenë edhe pasaportë të Serbisë të drejtën e tyre të votës. Jemi optimist për rrugën përpara. Mund të ketë dikush qe dëshiron destabilizim, ekscese, incidente, mirëpo këtë nuk do ta gjeni në radhët e popullit të Kosovës dhe as të institucioneve të Republikës”, ka thënë Kurti, transmeton KP
“Jemi në kontakte me Brukselin, ambasadat e QUINT-it, natyrisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, besojmë qe nuk do të ketë kurrfarë problemesh dhe ata që do të mund të paramendojnë, ose larg qoftë të tentojnë, nuk do të mund të kenë sukses. Kemi nevojë për paqe në Ballkanin Perëndimor dhe dita e 3 prillit nuk besoj që të do të jetë ndryshe”, ka thënë Kurti lidhur me zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi, që pritet të mbahen më 3 prill.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ende nuk ka dalë me ndonjë vendim nëse do të lejojë të hapen vendvotimet për zgjedhjet serbe, ne vendbanime me shumicë serbe në Kosovë.
Por, me deklaratën e sotme Kurti bëri me dije se edhe më 3 prill do të vlejë rezoluta e 15 janarit të këtij viti, kur Kuvendi i Kosovës vendosi të mos lejojë hapjen e qendrave të votimit në Kosovë.
Ndonëse, Kurti nuk e ka specifikuar se si do të votojnë qytetarët e Kosovës, që mund të kenë edhe pasaportë të Serbisë, ai ka thënë se në Kosovë të respektohet Kushtetuta, ligji dhe rezoluta e 15 janarit. Me këtë ka lënë të kuptohet se më 3 prill do të vlejë Rezoluta e 15 janarit të këtij viti, kur Kuvendi i Kosovës vendosi të mos lejojë hapjen e qendrave të votimit në Kosovë për të votuar në referendumin e Serbisë për ndryshime kushtetuese. /Telegrafi/