Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur para pjesëtarëve të FSK-së në kazermën “Adem Jashari”, me rastin e 12 vjetorit të pavarësisë.
Kurti ka thënë se uniforma e ushtarëve të FSK-së, është mëshirim i sakrificës tonë.
“Është kënaqësi të jem me ju sot në këtë ditë të rëndësishme për shtetin tonë. Të gjithë ne që marrim poste publike e ministrore jemi në shërbim të qytetarëve në çdo kohë dhe gjatë gjithë kohës. Mbi ju bie detyra e rëndë dhe e shenjtë për mbrojtjen e vendit. Uniforma juaj është mëshirim i sakrificës tonë”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se pa ushtri e pa mbrojtje ne jemi të dobët, andaj mburremi me punën që ju e bëni.
Kryeministri Kurti ka theksuar sërish se shërbimin ushtarak do ta bëjë të detyrueshëm.
“Duhet të mësojmë nga disiplina e ushtarit dhe dëshira e madhe për ti shërbyer vendit. Do ta bëjmë të detyrueshëm shërbimin ushtarak. Shërbimin ushtarak nuk e bëjmë të detyrueshëm se kemi ambicie për të pushtuar, përkundrazi ne jemi popull paqedashës dhe liridashës. E duke qenë liridashës ne duam të jemi në gjendje të mbrojmë vendin dhe lirinë tonë”, u shpreh Kurti.
Kurti falënderoj ushtarët e FSK-së, për ndihëm që i bënë Shqipërisë gjatë tërmetit që e goditi.
“Dua të ju falënderoj për misionin e suksesshëm që e keni pasur në ndihmë të vëllezërve dhe motrave tona në Shqipëri”, tha Kurti.
Ai tutje shtoi se do të kërkoj unitet të plotë për politikën e jashtme, duke thënë se duhet të jemi të bashkuar pavarësisht dallimeve që kemi.
Kurti tha se anëtarësimi në NATO është prioritet si dhe do të punojnë në këtë drejtim. /Telegrafi/