Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar Irlandën për mbështetjen ndaj Kosovës, pas takimit që ka zhvilluar të enjten me homologun e tij irlandez, Leo Varadkar.
Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se shteti dhe populli i Kosovës janë gjithnjë falënderues dhe përgjithmonë mirënjohës ndaj Irlandës.
“Irlanda është mbështetëse e Kosovës për anëtarësim si në Këshillin e Evropës ashtu edhe në Bashkimin Evropian, për çka kemi kërkuar mbështetje për statusin e vendit kandidat”.
“Irlanda ka dhënë kontribut të hershëm që e vazhdon edhe sot në fushën e mbrojtjes përmes misionit të KFOR-it në Kosovë”, është shprehur kreu i ekzekutivit kosovar.
Ai tutje ka thënë se mes pasigurive globale dhe kërcënimeve për kontinentin evropian, Irlanda qëndron si testament i forcës, unitetit, aleancës dhe angazhimit të qëndrueshëm për përparim.
“Zhvillimi ekonomik dhe progresi social në dekadat e fundit e ka bërë Irlandën burim të frymëzimit për shumë shtete Një pjesë e konsiderueshme e këtyre përparimeve i atribuohen edhe udhëheqjes së kryeministrit Varadkar duke mishëruar një valë të re të ndryshimeve pozitive”.
“Irlanda është veçanërisht frymëzuese për ne sepse me të kemi disa ngjashmëri që ne i ndajmë. Nga pikëpamja shoqërore, populli ynë shquhet për ngrohtësinë dhe mikpritjen e tij pavarësisht vështirësive që ka përjetuar. Sa i përket aleancave ndërkombëtare, të dy shtetet gëzojmë një aleancë të palëkundur dhe lidhje të ngushta me SHBA-të. Ndërkohë që të dy vendet tona janë të orientuara dhe të fokusuara kah rritja thelbësore dhe progresi social”.
Kujtojmë se kjo është hera e parë që një kryeministër i Irlandës viziton Kosovën. /Telegrafi/