Site icon Telegrafi

Kurti-Pahor: Reflektimi i Serbisë mbi dëmet, shkatërrimet e krimet janë parakusht për bisedime serioze

Përkushtimi i dyanshëm për thellim të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Sllovenisë dhe forcim të partneritetit ndërmjet dy vendeve, janë dy çështjet për të cilat kanë diskutuar sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti slloven, Borut Pahor.

Në një komunikatë për media të Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur po ashtu se kreu i ekzekutivit, Albin Kurti ka thënë se Sllovenia është partner i çmuar dhe se pret me padurim avancimin e marrëdhënieve dypalëshe në mbrojtje dhe siguri.

“Sllovenia është partneri ynë i çmuar pasi ndajmë të njëjtin interes për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë, ka thënë kryeministri Kurti, duke u shprehur mirënjohës për kontributin e Sllovenisë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian, si dhe punën e qeverisë në këtë drejtim.

Ai kërkoi përkrahje nga Sllovenia për anëtarësimin në organizata dhe iniciativa ndërkombëtare.

Kryeministri theksoi se përkundër faktit që kemi filluar me vonesë vaksinimin nuk kemi marrë vaksina nga Kina apo Rusia, por vetëm ato të certifikuara nga FDA dhe EMA.

Duke thënë se këtë vit Kosova tregoi se është e gatshme të marrë përgjegjësi të reja me kalimin nga një konsumues i sigurisë në një ofrues sigurie, kreu i ekzekutivit veçoi se Kosova me krenari mbështeti operacionin e drejtuar nga NATO për evakuimin e refugjatëve afganë, gjë që sipas tij, dëshmon se Kosova është një partner i besueshëm.

Ne ishim të gatshëm të ndihmonim sepse kjo është ajo që vendet që ndajnë të njëjtat vlera të demokracisë dhe paqes bëjnë për njëri-tjetrin, tha kryeministri.

Kryeministri foli për përkushtimin e qeverisë në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe për politikat qeverisëse.

Në komunikatë thuhet po ashtu se Presidenti Pahor ka përgëzuar kryeministrin për qasjen e re në qeverisje, derisa është interesuar të dijë më shumë rreth ecurisë së bisedimeve me Serbinë.

“Sllovenia është e interesuar të shoh progres. Përkundër vështirësive bisedimet duhet të vazhdojnë”, ka thënë Pahor.

Kryeministri e vlerësoi rolin e Sllovenisë në këtë proces si shumë të rëndësishëm dhe kërkoi mbështetjen e saj për të elaboruar rëndësinë e reflektimit të Serbisë për dëmet e shkaktuara, shkatërrimet dhe luftën, si dhe krimet e kryera në Kosovë, njofton Telegrafi.

Exit mobile version