Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur sot rreth rritjes ekonomike, investimeve nga jashtë dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Kurti në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime tha se janë qeveria e parë nga paslufta që nuk ka pasur asnjë protestë me parullën ‘Duam punë’.
“Jemi Qeveria e parë në Kosovën e pasluftës ku nuk ka pasur asnjë protestë të vetëm në të cilën figuron parulla ‘duam punë’. Duam paga më të larta, sigurisht, kushte më të dinjitetshme të punës padyshim, por duam punë nuk ka më parrulla dhe kjo besoj është si pasojë e drejtpërdrejtë e 75 mijë vendeve të reja të punës…”, u shpreh kryeministri.
Ai tutje tha se Kosova është destinacion tërheqës dhe i favorshëm për investime, me një popullsi të re dhe dinamike.
“Vendi ynë ka potencial të madh për tu shndërruar në një qendër rajonale për investime…”, tha Kurti, raporton Telegrafi.
Sipas tij, disa nga faktorët që mbështesin këtë potencial përfshijnë stabilitetin institucional të Kosovës, fuqizimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit, pastaj afërsia me tregjet e Evropës perëndimore, rritja ekonomike mesatare prej 6.2 për qind, etj.
“Investitorët siç e dimë të gjithë kërkojnë parashikueshmëri, konsistencë dhe shpejtësi në shërbime me sa më pak burokraci që të jetë e mundur. Për fat të mirë si ekzekutiv jemi Qeveria e parë që e cila do ta përfundojë një mandat të plotë, një tregues i qartë i stabilitetit institucional dhe politik, por edhe i besimit që kemi ndërtuar në proceset tona demokratike e zhvillimore…”, tha ai.
Kryeministri i vendit tutje shtoi se duan që qytetarët të jenë sa më të përgatitur dhe konkurrues këtu në Kosovë në mënyrë që bizneset t’i gjejnë talentet brenda vendit. /Telegrafi/