Kryeministri Albin Kurti gjatë seancës së Kuvendit ku raporton lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, tha se e kanë pranuar propozimin franko-gjerman, pasi në të kundërtën Kosova do të hynte në rrugën e konfrontimit me aleatët.
Para deputetëve, Kurti deklaroi se në takimin e 20 janarit në Prishtinë, emisarët ndërkombëtarë ia bënë të qartë se ky propozim është shumë afër formatit ‘merre ose leje’.
“Më 20 janar 2023, emisarët ndërkombëtarë që e shoqëruan ndërmjetësuesin Lajçak, pra emisarët amerikan, gjerman, francez dhe italian i dhanë disa qëndrime në këtë takim të fundit. Ata ma bënë të qartë se propozimi kryesor është pranë formatit ‘leje ose merre’. Nuk do të lejohet negocimi i tij”.
“Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve nga vini emisarët, është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta”, u shpreh kreu i ekzekutivit.
Kurti tutje tha se emisarët ndërkombëtarë gjithashtu ia kanë bërë të qartë se çfarëdo refuzimi i propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatik për Kosovën dhe do të krijojë dobësim serioz të mirëbesimit ndërmjet Kosovës dhe shteteve të tyre.
“Unë ia dhashë komentet e mia në versionin e dytë qysh në fillim të atij takimi që e kemi pasur më 20 janar. Komentet e mia i kanë në formë të shkruara. Qëndrimi im ka qenë që propozimi kryesor është parimisht i pranueshëm, por duhet përfshirë më shumë elemente garantuese dhe siguresa të efektivitetit sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe shtim të numrit të njohjeve si dhe një sekuencim të ngjarjeve”, deklaroi kryeministri. /Telegrafi/