Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është pyetur nëse ka marrë masa më të mëdha për sigurinë e tij, pasi kishte pranuar një kërcënim me jetë.
Kurti tha se nuk frikësohet dhe se do të jetë në punë për çdo ditë, duke theksuar se personat të cilët e kanë dërguar atë kërcënim, nuk e kanë pasur për të, por për Gjykatën Kushtetuese.
“Për gjendjen e sigurisë nuk është se unë mund ta vlerësoj atë, janë organet kompetente dhe është siguria dhe mbrojtja e kryeministrit që e bën një gjë të tillë. Por ata që më kanë kërcënuar mua nuk mund ta kenë me mua, ata e kanë pasur me dikë tjetër, e kanë pasur me Gjykatën Kushtetuese, sepse duket se është në panik, presidenti të cilit po i humbet rasti. Dekreti i Presidentit nuk mund të shndërrohet në shkrim të Kushtetutës, nëse Kushtetuta ngelet e heshtur për çështje të caktuara nuk mund ta flas presidenti për këtë. Dekreti i presidentit ndodhet në Gjykatë. Po e theksoj se me atë kërcënim që ka ardhur në adresën e kryeministrit e kanë ditur se me mua nuk funksionon do ta kenë pasur me tjetër kënd”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar dje se është kërcënuar nga një grup i ashtuquajtur “Garda Vullnetare Shqiptare”.
Kurti ka thënë se ky kërcënim nuk është ndaj tij, por ndaj Gjykatës Kushtetuese, dhe se ata që janë të frikësuar po duan ta frikësojnë këtë Gjykatë, transmeton Telegrafi.
Lidhur me këtë rast, zyra e informimit për media nga Policia e Kosovës në një përgjigje dërguar Telegrafit, njofton se janë në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informacioneve.
“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda është duke e trajtuar si rast, dhe është në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informacioneve. Të gjitha veprimet janë duke u ndërmarr në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale”, thuhet në përgjigjen dërguar Telegrafit nga zyra e informimit të Policisë së Kosovës. /Telegrafi/