Site icon Telegrafi

Kurti: Nuk është e mundur të mos kemi as subvencionim, as shtrenjtim e as shkyçje të rrymës

Foto: Arkiv

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk është e mundur të mos kemi as subvencionim, as shtrenjtim e as shkyçje të energjisë elektrike.

Kurti duke komentuar raportin e fundit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka thënë se deri në ora 16:00 do të dërgohen propozimet.

“Deri në ora 16:00 do të ketë mjaftueshëm komente të ZRRE-ja në mënyrë që të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme, në këtë krizë energjetike. Nuk është e mundur që mos të kemi as subvencionim, as shtrenjtim e as shkyçje”, tha Kurti, përcjell Telegrafi.

Për krizën energjetike, ai ka akuzuar mosinvestimet dhe mirëmbajtjet gjatë vitet e kaluara në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Lexo po ashtu Shtrenjtimi i rrymës, sot përfundon afati për propozime në ZRRE

“Duhet të marrim parasysh sa më shumë faktorë dhe bashkërisht të dalim nga kjo situatë, ku në njërën anë çmimet e energjisë elektrike janë shtrenjtuar shumë në bursat ndërkombëtare energjetike, ndërkaq në anën tjetër kemi më shumë se dy dekada që kemi pasur zhvatje në KEK dhe jo vetëm dhe mosinvestim në kapacitetet e reja, e mirëmbajtje të atyre ekzistueseve që nuk do të na lejonin të ndodhemi në këtë situatë të rëndë”, është shprehur ai.

Në fund, Kurti ka thënë se pas komenteve të dërguar në ZRRE duhet të dilet me një vendim meritor.

“E ritheksoj se raporti i ZRRE-së nuk është merre ose leje, pra nuk është as finale e as fatale, por është raport që pret komentet dhe shpresoj se pas atyre të kemi një vendim meritor”, përfundoi ai. /Telegrafi/

Exit mobile version