Site icon Telegrafi

Kurti ngushëllon për vdekjen e shtatzënës: Secila jetë është e pazëvendësueshme

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se rasti i vdekjes së shtatzënës sot në Klinikën Infektive, na ka pikëlluar tej mase,

“Jam njoftuar që gjendja e saj ka qenë e rënduar prej kur është pranuar në Klinikën Infektive në Prishtinë me 15 prill. Përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor dhe kujdesit ndaj tyre, nëna dhe fëmija ndërruan jetë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kryeministri në detyrë i ka shprehur ngushëllime bashkëshortit, fëmijëve dhe mbarë familjes të së ndjerës, duke kërkuar nga qytetarët që t’iu përmbahen rekomandimeve nga IKSHPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë.

Postimi i plotë:

Në vend se të vijë në jetë edhe një, u shuan dy
V.P., nënë e një vajze dhe një djali, ishte në pritje të fëmijës së saj të tretë. Ajo ishte në javën e 28 të shtatzënisë. Por, fatkeqësisht, ajo nuk pati rastin që ta përqafojë foshnjën e saj as edhe njëherë të vetme. Edhe pse shumë prej nesh nuk e njohëm bashkëqytetaren tonë, ky rast sot na pikëlloi tej mase. Jam njoftuar që gjendja e saj ka qenë e rënduar prej kur është pranuar në Klinikën Infektive në Prishtinë me 15 prill. Përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor dhe kujdesit ndaj tyre, nëna dhe fëmija ndërruan jetë.
Bashkëshortit, fëmijëve dhe mbarë familjes të së ndjerës u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Një humbje shumë e madhe, në një kohë të vështirë e të pazakonshme. Prandaj, ju lutem përmbajuni masave dhe rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ashtu që ta ruajmë veten dhe njëri-tjetrin. Secila jetë është e pazëvendësueshme. /Telegrafi/

Exit mobile version