Site icon Telegrafi

Kurti nga mbledhja e Qeverisë fton mërgatën që të regjistrohen për votim në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025

Kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë ka ftuar bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit të regjistrohen për votim jashtë vendit pasi afati i fundit është më 26 dhjetor.

Kurti tha se mërgata do të ketë mundësinë që të votoj në ambasada e konsullata në shtetet ku jetojnë ata.

“Për bashkatdhetarët tanë në çdo cep të botës që janë kanë mbetur vetëm tetë ditë në afatin për regjistrimin për votim jashtë vendit, përkatësisht deri më 26 dhjetor. Mos e lini ditën e fundit. Po i drejtohem mërgatës tonë nga mbledhja e Qeverisë pasi vota e tyre ka qenë përcaktuese për përbërjen e kësaj qeverie. Siç ka qenë dhe kontributi i saj përcaktues për fatin e mirëqenien e vendit tonë ndër vite. Me qeverinë tonë, mërgata jonë do të ketë mundësinë që të votoj në ambasada e konsullata në shtetet ku jetojnë bashkatdhetarët”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Kryeministri nga mbledhja e qeverisë theksoi se: “Votimi përmes postës brenda vendit në ambasada dhe konsullata është një fitore e madhe për mërgatën tonë punëtore e patriotike dhe për shtetin tonë patriotik dhe të pavarur…E drejta e votës është e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Deri më sot mërgata jonë në vazhdimësi është ballafaquar me vështirësi burokratike dhe barrë financiare”, ka thënë Kurti.

Kurti tregoi se do të jenë gjithsej 22 kuti postare në 22 shtete të ndryshme, ndërsa siç tha votimi fizik do të organizohet në 35 përfaqësi diplomatike dhe konsullore në 22 shtete. /Telegrafi/

Exit mobile version