Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar për media pas darkës tradicionale me liderët e Ballkanit Perëndimor të organizuar nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Kurti ka thënë se do të ketë një takim me liderët e opozitës për të diskutuar për një platformë dialogu me Serbinë.
Kurti tha se do të shqyrtohen edhe marrëveshjet e arritura deri më tani nga qeveritë paraprake.
“Do të bëjmë një lloj skanimi për marrëveshjet e arritura nga e kaluara. Në bazë të dokumenteve del se kemi nga 15 deri në 53 marrëveshje”.
Kurti thotë se opozita e di qëndrimin e tij në lidhje me dialogun me Serbinë.
“Opozita e di se nuk ka një trashëgimi të lëvdueshme në dialog në mënyrë që të vazhdojmë me kontinuitet. Ne jemi për dialog parimor ku Kosova do të jetë palë e barabartë në tavolinë”.
I pari i qeverisë
“Me një sinkronizim me SHBA dhe BE-në dialogu mund të ketë një të ardhme më të mirë në muajt dhe vitet në vijim se që ishte rasti në gjithë këtë dekadë”.
Kurti u shpreh se gjatë kësaj darke theksi i diskutimit ishte raporti i Ballkanit Perëndimor me BE-në.
“Me këtë rast të gjashtë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku theksi ishte raporti i Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, folën për nevojën e afateve në të ardhmen në mënyrë që sa më shpejt të gjitha vendet të avancojnë në integrimin evropian”, tha Kurti.
Ndërkaq, sa i përket kërkesave të Kosovës, Kurti tha se ka theksuar çështjen e liberalizimit të vizave dhe investimeve në ekonomi.
“Kam vënë theksin te çështja e nevojës për liberalizim të vizave për Kosovën por kemi nevojë edhe për investime në ekonomi të cilat në përgjithësi e zvogëlojnë emigrimin dhe e rrisin punësimin për rininë”, tha Kurti para medieve./Telegrafi/