Telegrafi

Kurti: Nënshkrimi i dy marrëveshjeve në Gjermani u bë nga zyrtarët e ish-ministrit Lekaj pa autorizimin e Qeverisë

Sot në Munih të Gjermanisë, përfaqësuesit kosovarë dhe serbë kanë nënshkruar dy marrëveshje, për linjën hekurudhore dhe autostradën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me këtë ka reaguar kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se marrëveshjet janë nënshkruar nga zyrtarë të autorizuar nga ish ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë.

Lexo po ashtu Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen, në kohën kur kryeministri Kurti udhëtonte për në Gjermani

Më tej ka shtuar se këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje.

“Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare”, ka thënë Kurti.

“Sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit Evropian për bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së”, ka theksuar ai.

Në aspektin ekonomik, Kurti e ka cilësuar më të arsyeshme linjën hekurudhore për Leshak sesa atë për Merdarë.

“Për më tepër, nëse bazohemi te një version i marrëveshjes, po qe se analizohet për nga rëndësia ekonomike, hekurudha për në Leshak është më me prioritet dhe më e leverdishme sesa ajo për Merdar”, ka thënë më tej.

Në fund Kurti është shprehur se, “në procesin e tranzicionit të qeverisjes, ne jemi duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet”. /Telegrafi/