Site icon Telegrafi

Kurti në Vushtrri: Do të realizojmë të gjitha zotimet tona të reja

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot tubim parazgjedhor në Vushtrri.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, u shpreh se në mandatin e ardhshëm të qeverisë sonë, pas 9 shkurtit, me numër deputetësh edhe më të madh se në mandatin e kaluar, do të realizojmë të gjitha zotimet tona të reja, përveçse do të vazhdojmë punët e mira të mandatit të kaluar, duke përmendur secilin nga zotimet e programit qeverisës për mandatin e ardhshëm.

“Kësisoj, le të fillojmë me programin ‘Gjenerata për gjeneratë’, që nënkupton 100 euro shtesë mbi pensionin ekzistues për gjeneratën e pleqve tanë, gjysheve e gjyshërve, që do të kujdesen për fëmijët prej moshës 1-3 vjeç, kur të dy prindërit u punojnë atyre”, ka thënë Kurti.

“Pastaj, programi ‘Superpuna për gratë’: kudo që punësohen gratë nëpër ndërmarrje private, ne do t’ua japim për 6 muaj shtesë nivelin e pagës minimale, që aktualisht është 350 euro. Ka qenë 130 e 170 euro, e në mandatin e ardhshëm do ta bëjmë mbi 500 euro pagën minimale.”

“Përveç spitalit në Ferizaj, do ta ndërtojmë edhe spitalin e ri në Mitrovicë dhe do të sigurojmë deri në 100 milionë euro buxhet për listën e barnave esenciale. Në vitin 2021 i kemi gjetur 24 milionë, në mandatin tonë që po i vjen fundi tash e kemi bërë 70 milionë, ndërsa në mandatin tonë të ardhshëm 100 milionë euro për listën e barnave esenciale në shtetin tonë.”

“Do ta kemi programin ‘Mobiliteti për studentët’, i cili i mbështet studentët në nevojë çdo muaj, varësisht nga distanca ku studiojnë. Sa më larg që studion një studente apo një student nga vendbanimi e vendlindja e tij/saj, aq më shumë do ta mbështesim si shtet. Gjithashtu, do të ketë bursa për studentët që vijojnë studimet në shkollimin jo-universitar dhe jo-publik. Sepse nga studentët tanë varet cilësia e punëtorëve tanë në ekonominë tonë”, theksoi kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti gjithashtu përmendi edhe zotimet e tjera të programit të qeverisë Kurti 3, si projekti për transportin publik “Anembanë”, ku me 10 euro në muaj qytetarët do të kenë mundësi të udhëtojnë kudo nëpër Kosovë. Po ashtu, ai theksoi 1 miliard euro mbështetje për kapacitetet prodhuese përmes garantimit të kredive për investitorët, heqjen e taksës doganore prej 10% për veturat nga BE-ja, më shumë përkrahje për bujqësinë sesa në mandatin e parë, së paku 1 miliard euro për ushtrinë e Republikës së Kosovës, si dhe pika të tjera programore që do ta rrisin cilësinë e jetës së qytetarëve.

Kryeministri Albin Kurti u shpreh se qeveria jonë vazhdon edhe pas 9 shkurtit, sepse në këtë vend ka popull, në këtë vend ka qytetarë të Republikës.

“Ne e duam vendin tonë: Kosova Republikë, e jo Kosova klan. Ne jemi ata që kemi besuar në atë që kemi thënë: I dalim zot atdheut!”

Në fund, kryeministri Kurti i prezantoi kandidatët për deputetë nga qyteti i Vushtrrisë – Besim Muzaqin, Sylejman Mehollin, Fjolla Ujkanin dhe Nasuf Bejtën – dhe bëri thirrje që secili qytetar të mos ndalet në mobilizimin për sigurimin e 500 mijë votave për fitoren më të madhe në Kosovën e pavarur e të çliruar.

Exit mobile version