Site icon Telegrafi

Kurti në tryezën e rrumbullakët “Pakicat në Kosovën e pavarur”: Kosova është shteti ynë i përbashkët

Kryeministri, Albin Kurti, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët në shënim të 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, me temën “Pakicat në Kosovën e pavarur”, të organizuar nga Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Redzepi.

Në fjalën e tij, Kurti tha se takimi i sotëm përfaqëson simbolikisht atë që Republika e Kosovës në të vërtetë po e jetëson, pra ndjenjën e përbashkësisë dhe pjesëmarrjes për të gjithë.

“Kosova është shteti ynë i përbashkët ku të gjithë duhet të ndjehemi plotësisht të barabartë dhe të padiskriminuar mbi asnjë bazë”, u shpreh ai.

Kryeministri shtoi se në dy vitet e fundit, qeveria jonë ka mbështetur të gjitha komunitetet, përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara.

Ai shprehu mirënjohje ndaj secilit për angazhimin e  palodhshëm, për kontributin e pa kursim dhe për rolin e çmueshëm në institucione dhe në shoqëri, dhe u uroi 15- vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës me thirrjen që të gjithë së bashku të forcojmë ndjenjën e dashurisë, dhe ta shtojmë angazhimin e punën në shërbim të vendit.

Urimit për 15-vjetorin e Pavarësisë iu bashkëngjit edhe zëvendëskryeministrja Redzepi duke thënë se “sot të gjitha komunitetet jo shumicë urojnë të gjithë qytetarët e vendit tonë festën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, së bashku me mesazhin për paqe, tolerancë, harmoni dhe jetës së përbashkët”.

Krahas tre ministrave të kabinetit qeveritarë që vijnë nga radhët e komuniteteve jo shumicë, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe ministri për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka, pjesëmarrës në këtë tryezë ishin edhe ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Qobaj dhe deputeti shtetëror në Bosnjë dhe Hercegovinë, Shemsedin Mehmetoviq, si dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version