Telegrafi

Kurti në takim me përfaqësuesit e FSSH-së, flasin për përmirësimin e pozicionit të punonjësve shëndetësorë

Bashkëpunimi në përmirësimin e pozicionit të punonjësve shëndetësorë përmes dialogut social ishte në qendër të takimit mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesve të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

Në takimin e përbashkët me Ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi dhe zëvendësministren Dafina Gexha Bunjaku, u theksua përkrahja dhe gatishmëria e Qeverisë për thellim dhe zgjerim të bashkëpunimit me FSShK-në

Kryetarja e FSShK-së, Tevide Imeri falënderoi Kryeministrin për mikpritjen dhe përkrahjen, duke theksuar se FSShK-ja mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e punonjësve shëndetësorë, duke përkrahur punëtorët e përkushtuar dhe profesionistë.

Përfaqësuesit e FSShK-së e njoftuan Kryeministrin me sfidat të cilat përballen profesionistët shëndetësorë në punën e përditshme.

Në këtë takim u dakorduan që komunikimi do të jetë i vazhdueshëm, me qëllim të ngritjes së nivelit të shërbimeve shëndetësore dhe sigurimit të punës me dinjitet për profesionistët shëndetësorë. /Telegrafi/