Site icon Telegrafi

Kurti në Shqipëri: Forcimi i ushtrive tona do duhej të ishte prioritet për dy qeveritë, do t’i përballonim më lehtë fatkeqësitë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka vizituar zonat e prekura nga tërmeti i tmerrshëm në Shqipëri.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në Facebook.

Kurti ka thënë se Shqipëria edhe pse nuk e fshihte trishtimin e lotët, nuk ishte gjunjëzuar.

Ai u takua me zëvendës-kryeministrin e Shqipërisë, Erin Braçen dhe deputetet Lindita Nikolla dhe Eglantina Gjermeni.

“Forcimi i ushtrive të Shqipërisë e Kosovës do të duhet të ishte prioritet për qeveritë tona, sepse kjo do të ndihmonte përballimin e situatave të tilla, të cilat fatkeqësisht vijnë edhe papritur”, ka thënë Kurti.

Postimi i plotë pa ndërhyrje

Katastrofa natyrore e ka goditur Shqipërinë, dhe këto ditë nuk kemi mundur të festojmë përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë, as 75-vjetorin e çlirimit të Republikës nga nazi-fashizmi. Tërmetet e forta dinë të gjunjëzojnë çdo shoqëri, janë të paparashikueshëm prej shkencës, e janë veçanërisht vdekjeprurës në vendet e varfra, me infrastrukturë të pazhvilluar, apo në vendet ku ligji e standardet ndërtimore nuk zbatohen siç duhet.

Lexo po ashtu Sizmiologu Edmond Nushi: Aktiviteti sizmik në Shqipëri drejt rënies

E megjithatë, Shqipëria që vizituam në mëngjesin e sotmë, edhe pse nuk e fshihte trishtimin e lotët, nuk ishte e gjunjëzuar. Populli i Shqipërisë e ai i Kosovës, si dhe shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi, Luginës e diasporës të gjithë janë bërë bashkë për t’ua lehtësuar dhimbjen familjarëve të atyre që fatkeqësisht kanë humbur jetën prej tërmetit, por edhe atyre qindra personave të lënduar e të traumatizuar, e shumë të tjerëve që janë dëmtuar ekonomikisht, një pjesë e mirë duke mbetur edhe të pastrehë.

Ndër zonat më të goditura ishin Durrësi e Thumana, vendet ku janë humbur më shumë jetë e rrënuar më shumë banesa. Andaj sot, së bashku me Enver Dugollin, Salih Zybën e Arbër Zaimin, i vizituam këto dy vende.

Në shkollën “Leonik Tomeu” në Durrës vizituam njërin nga vendet ku magazinohen ndihmat e dhuruara nga qytetarë të Shqipërisë e të Kosovës, e në stadiumin “Niko Dovana” u takuam me pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë të Kosovës, ndër ta edhe kolonelin nga Shqipëria Arben Toska dhe koordinatorin e FSK për veprimet në Shqipëri, Nysret Buzhala e komandantin e njësitit të kërkim/shpëtimit, Kreshnik Limoni. Është për t’u përgëzuar angazhimi i tyre i përbashkët, dhe harmonia organizative e disiplina me të cilën ushtria i qaset këtyre rasteve emergjente. Forcimi i ushtrive të Shqipërisë e Kosovës do të duhet të ishte prioritet për qeveritë tona, sepse kjo do të ndihmonte përballimin e situatave të tilla, të cilat fatkeqësisht vijnë edhe papritur.

Lexo po ashtu Situata në Spitalin e Durrësit, shkon në 900 numri i të lënduarve

Më pas vizituam edhe Thumanën, ku biseduam me familjarë të viktimave, me banorë të qytezës, me vullnetarë të cilët punonin në kampin e tendave, por edhe me politikanë që kishin shkuar për vizitë aty. I ngushëlluam banorët, dhe u përpoqëm të mësojmë se si mund t’i ndihmojmë sa më mirë e t’u gjendemi pranë në këtë kohë të vështirë. Aktivistë të Qendrës së Lëvizjes në Shqipëri e kishin vizituar Thumanën këto ditë, dhe kishin bërë një vlerësim të nevojave e të gjendjes, gjë që do të na ndihmojë në përgatitjen e ndihmave tona. Në Thumanë takuam edhe zv.kryeministrin e Shqipërisë, Erion Braçen, dhe ministrin e rendit, Sandër Lleshajn, bashkë me deputetet Lindita Nikolla dhe Eglantina Gjermeni. U shprehëm atyre ngushëllimet tona, dhe gatishmërinë e madhe të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të ndihmuar me çdo mundësi që kemi.

Exit mobile version