Site icon Telegrafi

Kurti në Rezallë: Këto varre këtu janë e vërteta, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë

Në ceremoninë e rivarrimit të nëntë viktimave të masakrës së fshatit Rezallë, të zhvarrosura nga varreza masive në Kizhevak dhe Rudnicë të Serbisë, kryeministri Albin Kurti mori pjesë krahas familjarëve të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.

Sot u rivarrosën Shefqet Zabeli, Sadri Zabeli, Dibran Rukolli, Jonuz Rukolli, Hetem Deliu, Nezir Deliu dhe Nazif Hoti, që ishin groposur në Kizhevak të Serbisë.

Bashkë me ta, u rivarrosen një pjesë e eshtrave të mbetur të Vesel Deliut dhe Behram Rukollit, nga varreza masive në Kizhevak, pasi një pjesë e eshtrave të tyre u patën gjetur vite më parë në varrezën masive, në Rudnicë të Rashkës, në Serbi, transmeton Telegrafi.

Riatdhesimi i mbetjeve mortore të nëntë viktimave u realizua më 30 shtator 2021, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim dhe me përkrahjen e familjeve të viktimave, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Policisë së Kosovës – Sektorit për Krime Lufte, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të dashura familje Deliu, Hoti, Rukolli dhe Zabeli,
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,
I nderuari Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, z. Andin Hoti,
I nderuari Kryetar i Komunës së Skenderajt, z. Bekim Jashari,
I nderuari Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, z. Armend Mehaj,
Të nderuar ish-luftëtarë, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
I nderuari baca Rifat Jashari,
Të nderuar klerikë fetarë,
Motra dhe vëllezër,
Të dashur qytetarë të Rezallës,

Në këtë ditë të rëndë nuk është e lehtë të gjenden fjalë ngushëllimi që mund të plotësojnë zbrazëtinë që ka lënë mungesa e të dashurve tuaj.

Është e vështirë të gjejmë fjalë mjaftueshëm të fuqishme për të përshkruar forcën, guximin dhe durimin tuaj të palëkundshëm përgjatë këtyre viteve.

Sot, 22 vite e gjysmë pas ditës të kobshme, po kthehen për të pushuar përjetësisht në tokën e tyre: Shefqeti, Sadriu, Dibrani, Jonuzi, Hetemi, Neziri, Nazifi, Veseli e Behrami.

Të pushkatuar me pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj në Rezallë, më 5 prill të vitit 1999, nga forcat e shtetërore të Serbisë, u rrëmbyen e groposen, në varreza masive në Kizhevak e Rudnicë të Serbisë.

Por e vërteta nuk mund të groposet e mbulohet në varreza masive.

Këto varre këtu janë e vërteta, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

Kemi obligim që të bëjmë gjithë sa mundemi e dimë që t’i prejmë rrugën drejtësisë së munguar për krimet çnjerëzore të kryera nga forcat policore serbe dhe ushtria jugosllave gjatë luftës në Kosovë.

Të dashur familjarë,

Jemi bashkë për të nderuar sot dëshmorët e martirët e Kosovës, e për të mos lejuar harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë.

Jemi gjithmonë bashkë në betejën për të vërtetën dhe drejtësinë.

Nuk do të ndalemi derisa të sjellim drejtësi për ta.

I përjetshëm qoftë kujtimi për familjarët tuaj.

I lehtë u qoftë dheu i Kosovës.

Exit mobile version