Vizitën e parë si kryeministër i Kosovës Albin Kurti e ka bërë në Prekaz të Skenderajt.
Ai ka bërë homazhe në kompleksin memorial Adem Jashari, prej nga tha se liri dhe shteti që sot i gëzojmë i kanë rrënjët në sakrificën e heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit, e mbi të gjitha te flijimi i familjes Jashari.
“Kjo liri që e gëzojmë ne sot dhe ky shtet që e kemi i ka rrënjët në sakrificën e heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit, e mbi të gjitha te flijimi i Jasharajve. Në këtë vend 59 anëtarë të familjes së gjerë të Jasharajve dhanë jetën e tyre në atë që e njohim si Epopeja e UÇK-së, me në krye komandantin legjendar Adem Jashari. Unë sot e falënderoj për mirëpritjen djalin e Hamëz Jasharit dhe kryetarin e komunës së Skenderajt Bekim Jasharin. Prej këtu do të vazhdojë për në Mitrovicë. Prekazi është vendi i parë që e vizitoj si kryeministër i Republikës së Kosovës, posa dola nga Prishtina nga kryeqyteti i vendit”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti është shoqëruar nga kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari. Kurti sot zyrtarisht e ka marrë detyrën si kryeministër i Kosovës në një ceremoni solemne. /kp/