Telegrafi

Kurti në Poloni: Kosova dhe ShBA-ja kanë një partneritet të palëkundur

Kryeministri Albin Kurti është takuar në Poloni me Ndihmës Sekretaren për Mbrojtje, Celeste Wallander dhe ambasadorin Michael Carpenter, Asistent i Posaçëm i Presidentit dhe Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-ve, në margjina të Forumit të Varshavës për Siguri.

Siç thuhet në njoftimin e ZMK-së, kryeministri Kurti theksoi se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një partneritet të palëkundur si dhe falënderoi Ndihmës Sekretaren Wallander dhe ambasadorin Carpenter për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe proceseve shtetndërtuese para dhe pas pavarësisë.

“Ai shprehu angazhimin e Kosovës në sigurinë e paqen rajonale, teksa shtoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO e Kartën e Adriatikut dhe nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme në fushën e mbrojtjes me ShBA-të, si dhe bashkëpunimin ndërmjet Departamentit për Mbrojtje të ShBA-së dhe Ministrisë sonë të Mbrojtjes”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim, Kurti u shoqërua nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. /Telegrafi/