Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke marrë pjesë në Forumin e Paqes që po mbahet në Paris të Francës.
Kurti i cili është i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ka takuar edhe Zëvendës Presidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, e cila po ashtu ishte e shoqëruar nga bashkëshorti i saj.
Kryeministri i vendit ka publikuar disa fotografi nga mbajtja e forumit, ku edhe ka njoftuar për takimet që ka zhvilluar, transmeton Telegrafi.
“Dje dhe sot po marr pjesë në Forumin e Parisit për Paqe. Presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë e Francës, Brigitte Marie-Claude Macron, mbrëmë na pritën për një darkë solemne në Pallatin Élysée, ku bashkë me gruan time Ritën, patëm nderin dhe kënaqësinë të takohemi me Zëvendës Presidenten e ShBA-së, Znj. Kamala Harris, dhe bashkëshortin e saj, Douglas Emhoff”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka shtuar tutje se “Takime e biseda zhvilluam edhe me liderë të ndryshëm nga rajoni dhe bota”.
“Në Paris po diskutojmë për bashkëpunim dhe paqe me Presidentët Gjukanoviq e Komshiq e deri te Presidenti i Këshillit Evropian, z. Charles Michel e Zëvendës Presidenti i Komisionit Evropian, z. Josep Borrell”, ka theksuar ai.
Kryeministri Kurti më herët në Samitin e Paqes, iu është drejtuar pjesëmarrësve përmes një video-mesazhi.
Kurti u shpreh se është detyrë e liderëve, shkencëtarëve e aktivistëve që të jenë përparimtar.
“Është detyra jonë si liderë, shkencëtarë e aktivistë, jo të qëndrojmë në margjinat e historisë, por të jemi përparimtarë, ta përqafojmë dhe t’i japim formë asaj duke avokuar për më shumë barazi e drejtësi në gjithë botën”, ka deklaruar Kurti.
Ndryshe, Forumi i Paqes është duke u mbajtur në Paris nën patronatin e presidentit francez Emanuel Macron. /Telegrafi/