Site icon Telegrafi

Kurti: Në Kosovë të dënuarit dalin nga burgjet edhe më të mllefosur, në mungesë të rehabilitimit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se një ndër problemet kryesore në Kosovë është që të dënuarit dalin nga burgjet edhe më të mllefosur se që kanë hyrë brenda për shkak të mungesës së vëmendjes në rehabilitimin dhe reintegrimin e tyre në shoqëri.

Kurti thekson se viktimat, në anën tjetër, shpesh riviktimizohen nga procesi gjyqësor dhe rrallë gjejnë drejtësinë që kërkojnë sepse sistemi i drejtësisë në thelb nuk është ndërtuar për të riparuar dëmin e shkaktuar nga krimi.

Lideri i VV-së në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se një qasje e tillë dritëshkurtër nuk i ndihmon shtetit dhe nuk kontribuon në uljen e nivelit të kriminalitetit (recidivizmi është në rritje), apo të sigurisë publike, por përkundrazi e rritë atë.

Lexoni të plotë postimin:

Dje, bashkë me këshilltaren ligjore, znj. Furtuna Sheremeti zhvilluam një bisedë me Dr. Brunilda Pali, eskperte në fushën e drejtësisë restauruese në Belgjikë.

Gjatë takimit diskutuam mbi konceptin e drejtësisë restauruese dhe shembujt praktikë të shteteve që e kanë të integruar atë në sistemet e tyre (si Belgjika, Austria, Norvegjia, Gjeorgjia) si dhe mbi hapësirën që ekziston që drejtësia restauruese të aplikohet në Kosovë, duke u bërë pjesë e sistemit të drejtësisë. Ndër të tjera, biseda u fokusua në mundësinë dhe përfitimet praktike që Kosova do të kishte me integrimin e drejtësisë restauruese në sistemin e drejtësisë.

“Drejtësia restauruese” ka lindur si paradigmë e re drejtësie në vitet e ’70-ta si rezultat i humbjes së besimit në paradigmën e trajtim-rehabilitimit si dhe të dënim-parandalimit, ‘zbulimit’ të viktimës si pjesëtar/e i/e rëndësishëm për procesin e drejtësisë, si dhe nga kritika e mbi-burokratizimit dhe mbi-profesionalizimit të sistemit të drejtësisë.

Ajo i referohet çdo procesi që u mundëson të dëmtuarve nga krimi dhe atyre që janë përgjegjës për atë dëm, nëse bien dakord lirisht, të marrin pjesë ne mënyrë aktive në zgjidhjen e çështjeve që rrjedhin nga vepra penale, përmes ndihmës së një pale të tretë të trajnuar dhe të paanshme. 

Megjithatë drejtësia restauruese ka një bazë kulturore dhe teorike shumë të gjerë dhe të thellë, mund ta permbledhim thelbin e saj në tre elemente kryesore:

1) Elementi jetësor/relacional – Krimi shihet në radhë të parë si një veprim që thyen/dëmton marrëdhëniet njerëzore/shoqërore (përveçse ligjet).

b) Elementi pjesëmarrës – Ato/a që preken nga krimi, kanë të drejtë, interes, dhe nevojë të marrin pjesë në gjetjen e zgjidhjes dhe në procesin e drejtësisë.

c) Elementi riparues – Procesi i drejtësisë duhet orientuar në rradhë të parë rreth riparimit/restaurimit e jo dënimit.

Një ndër problemet kryesore në Kosovë është që të dënuarit dalin nga burgjet edhe më të mllefosur se që kanë hyrë brenda për shkak të mungesës së vëmendjes në rehabilitimin dhe reintegrimin e tyre në shoqëri. Viktimat, në anën tjetër, shpesh riviktimizohen nga procesi gjyqësor dhe rrallë gjejnë drejtësinë që kërkojnë sepse sistemi i drejtësisë në thelb nuk është ndërtuar për të riparuar dëmin e shkaktuar nga krimi. Një qasje e tillë dritëshkurtër nuk i ndihmon shtetit dhe nuk kontribuon në uljen e nivelit të kriminalitetit (recidivizmi është në rritje), apo të sigurisë publike, por përkundrazi e rritë atë.

Si rezultat i kësaj është e rëndësisë jetike të gjejmë mënyrat më të mira të bashkëpunimit me ekspertë të fushës (nga brenda dhe jashtë) për integrimin e drejtësisë restauruese në sistem dhe ndryshimin e kahjes nga ajo retributive në restauruese. /Telegrafi/

Exit mobile version