Nga tubimi elektoral në Malishevë, kandidati për kryeministër të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë sepër shoqërinë duhet të kontribuojnë të gjithë dhe se pasuria duhet të shpërndahet.
Ai ka shtuar se në Kosovë nuk ka sundim të ligjit, por sundimtarë të ligjit të cilët nganjëherë sundojnë përmes ligjit, nganjëherë sundojmë përtej ligjit, por assesi ta lënë ligjin të sundojë.
“Na kanë thënë që tregu i lirë ofron shanse të barabarta për individët dhe njerëzit, por shanset e barabarta pa trajnim dhe përgatit nuk janë fare shanse. Vetëm kur në garë nuk dihet fituesit konkurrenca është e lirë. Me Vetëvendosje do të kemi një treg të lirë të cilit nuk i dihet rezultati”, ka thënë po ashtu Kurti në tubimin zgjedhor të Malishevës.
Para banorëve të kësaj zone ai ka thënë se shumica e popullsisë janë të varfër dhe të papunë
“Në vend se të ndërtohen fabrika është ndërtuar asfalt, në vend se të ndodhte e kundërta. Qytetarëve mund të ju shkaktojnë probleme gropat në asfalt, por gropat në stomak nga varfëria i kanë problem më të madh – asfalti nuk hahet”, ka thënë ai.
Ai bëri thirrje që me 11 qershor të votohet Vetëvendosje dhe të fillojë bërja e Republikës.