Telegrafi

Kurti: Do të bëjmë ndryshimet në kuadrin ligjor, që do t’u mundësojë mamive kujdes dhe respekt

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do të bëjnë ndryshime ligjore për të përmirësuar pozitën e mamive dhe programet e Qeverisë do të bazohen në investime të drejtëpërdrejta në maternitete, ku ka nevojë për mbështetje me pajisje dhe ndërhyrje në infrastrukture, si dhe në trajnimet e stafeve.

Kështu u shpreh ai përmes një postimi në Facebook, në  Dita Ndërkombëtare të Mamive.

Ai shtoi se mamia luan një rol thelbësor për shëndetin seksual dhe riprodhues, shëndetin e nënës dhe të neonatit, dhe shëndetin e adoleshentëve.

“Do të bëjmë ndryshimet e nevojshme në kuadrin ligjor, që do t’u mundësojë mamive të sigurojnë kujdes me respekt, duke pasur parasysh se mamia luan rol thelbësor për shëndetin seksual dhe riprodhues, shëndetin e nënës dhe të neonatit, dhe shëndetin e adoleshentëve. Po ashtu, programet tona do të bazohen në investime të drejtëpërdrejta në maternitete, ku ka nevojë për mbështetje me pajisje dhe ndërhyrje në infrastrukture, si dhe në trajnimet e stafeve të mjekëve, infermierëve dhe mamive”, shkruan Kurti.

Ai shtoi se “mamia luan një rol thelbësor për shëndetin seksual dhe riprodhues, shëndetin e nënës dhe të neonatit, dhe shëndetin e adoleshentëve”.

“Mamitë shpëtojnë miliona jetë çdo vit, duke ofruar shërbime dhe këshillime për pacientët, dhe kanë rol të pazëvendësueshëm në shumë raste, e sidomos të sjelljes në jetë të foshnjeve. Kujdesi i ofruar nga mamitë, për gratë dhe fëmijët e tyre, është një investim në familje dhe komunitet, që nxit rritjen e shëndetshme dhe mirëqenien për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Raporti i fundit mbi Gjendjen e Mamive në Botë, i përpiluar nga UNFPA, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Konfederata Ndërkombëtare e Mamive, tregon se rritja e numrit të mamive do të ndikonte të shpëtoheshin rreth 4.3 milionë jetë në vit deri më 2035”, shkruan Kurti tutje.

Kurti, duke u thirrur në këtë raport thotë se “Mbulimi universal i ndërhyrjeve nga mamitë deri në vitin 2035, do të shmangte 67 për qind të vdekjeve të nënave”.

“Mamitë (si dhe ato të kualifikuara në obstetrikë) janë kujdestaret kryesore të grave dhe të sapolindurve të tyre gjatë shtatzënisë, punës, lindjes së fëmijës dhe periudhës së paslindjes. Sipas eksperteve, vdekshmëria e nënës dhe e foshnjës në mbarë botën ka rënë vazhdimisht që nga viti 1990. Megjithatë, qindra mijë gra dhe të sapolindur vdesin ende çdo vit gjatë shtatzënisë dhe lindjes. Shumica dërrmuese e këtyre vdekjeve janë për shkak të komplikimeve dhe sëmundjeve që mund të ishin parandaluar nga kujdesi i duhur para lindjes dhe kujdesi obstetrik, shumica e këtyre shërbimeve të ofruara pikërisht nga mamitë”, shkruan Kurti. /Telegrafi/