Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se si shef ekzekutivi nuk ka prioritet më të lartë se kthimi i dinjitetit të mësuesit. Në shënimin e 7 marsit, Ditës së Mësuesit, Kurti tha se shteti kujdeset që të krijojë kushtet dhe t’i zbatojë standardet e caktuara, ndërsa, prindërit duhet të kujdesen që edukimi dhe nxitja për lexim t’i përcjellë fëmijët edhe në shtëpi.
Shefi i ekzekutivit ka marrë pjesë në ceremoninë e SBAShK-ut për shënimin e 7 Marsit, ku sindikata ka ndarë mirënjohje për pensionistët.
Kurti tha se për popullin shqiptar asgjë nuk ka ardhur me lehtësi por gjithçka me shumë punë dhe vetmohim.
Ai shtoi se është dashur shumë mund e sakrificë, për hapjen e shkollave shqipe.
“Edhe sot si kryeministror i vendit nuk kam priori tet më të lartë sesa kthimin e dinjitetit të mësuesit, të arsimtarit, të mësimdhënësit, sesa kthimin e vëmendjes nga dija e nga arsimi, nga shkenca dhe kultura. Të ardhmen e fitojmë vetëm me dije dhe arsim. Për mua edukimi është takimi i parë i nxënësit me mësuesin. Fundja, femiu në shkollë e takon shtetin, dhe shteti i vjen para së gjithash si mësues”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës tha se shteti kujdeset të krijojë kushtet, të caktojë standardet dhe t’i zbatojë ato.
Derisa shtoi se mësuesit duhet të motivojnë, e prindërit të prindërojnë.
“Asnjë program qeveritar nuk mund të heq telefonat nga duart fëmijëve e t’u a bëjë atyre detyrat e shtëpisë. Është mirë që prindërit të kujdesen që edukimi dhe nxitja për lexim t’i përcjell fëmijët edhe kur ata janë në shtëpi. Në programin tonë qeveritar do t’i kushtojmë rëndësi të veçantë edukimit dhe mësuesit, së pari do të jetë rritja e cilësisë së mësimdhënies në arsim fillor dhe të mesëm e cila do të bëhet mbi parimin e meritokracisë dhe kurrikulës bazuar në kompetencë dhe zhvillim profesional të mësimdhënësve”, tha ai.
Kurti shtoi se pa reformë në arsim nuk mund të arrihet arsim cilësor, por që reforma nuk duhet të jetë kundër mësimdhënësve por për mësimdhënësit.
Ai tha se reforma duhet të fillojë nga çerdhet që nuk janë, e deri të edukimi i lartë. /KP/