Site icon Telegrafi

Kurti në Berlin takon politikanë e deputetë gjermanë, i falënderon për mbështetjen anëtarësimit të Kosovës në KiE  

Gjatë qëndrimit në Gjermani, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi sot në Berlin, bashkë-drejtuesin e SPD-së gjermane, Lars Klingbeil dhe anëtarin e Bundestagut gjerman nga radhët e SPD-së, Frank Schwabe, njëherësh drejtues i delegacionit gjerman të Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Evropës (PACE). 

Në njoftim thuhet se gjatë takimeve me nikoqirët, Kurti diskutoi për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, bashkëpunimin e ngushtë deri tani, qeverisjen në vend, me theks te reformat në sundim të ligjit, progresin demokratik dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Kryeministri falënderoi deputetët gjermanë që janë pjesë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për mbështetjen ndaj aplikimit të Kosovës në këtë organizatë dhe rezultatin historik të 16 prillit.

Ai tha se Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në vitet e fundit drejt anëtarësimit në Këshill, dhe se në bazë të regjistrit të kornizës ligjore, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë, Kosova meriton të bëhet anëtarja e 47-të pikërisht në përvjetorin jubilar të themelimit të Këshillit të Evropës.

Gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe bashkë-drejtuesi i SPD-së, Klingbeil dhe deputeti Schwabe bisedua edhe rreth bashkëpunimit ndërpartiak në promovimin e vlerave të përbashkëta të demokracisë, drejtësisë e barazisë për të gjithë, thuhet në njoftimin nga zyra e Kryeministrit./Telegrafi/

Exit mobile version