Telegrafi

Kurti në ASK: Regjistruesit, monitoruesit dhe pajisjet për regjistrimin e popullsisë janë gati

Kryeministri Albin Kurti, vizitoi zyrat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për t’u njoftuar me punën e Agjencisë në planifikimin dhe realizimin e procesit madhor të regjistrimit të popullsisë, që do të fillojë në muaji prill 2024.

I shoqëruar nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kryeministri pa për së afërmi proceset teknike të përfunduara nga ASK, e që luajnë rol kyç në organizimin e procesit dhe mbarëvajtje e tij.

“Numri i regjistruesve dhe monitoruesve bashkë me tabletët dhe pajisjet e nevojshme për regjistrim tashmë janë gati. Kryeministri tha se nuk ka proces më të rëndësishëm për planifikim sesa regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave dhe ofroi mbështetje të plotë për ASK-në ashtu që censusi të zhvillohet me përpikëri të nevojshme e sipas standardeve të EUROSTAT-it”, thuhet në komunikatë.

Ushtruesi i detyrës së ASK-së, Avni Kastrati, bashkë me ekipin e drejtorëve të ASK-së, njoftoi kryeministrin për hapat e radhës në kuadër të procesit të regjistrimit të popullsisë, përfshirë organizimin e regjistrimit të diasporës përmes platformës e-Kosova.

Kurti falënderoi ASK-në për punën, përkushtimin dhe angazhimin e tyre.

“Qëndrojmë së bashku në realizimin e këtij projekti të madh, regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave”.