Telegrafi

Kurti: Ndeshje më të bukur moti nuk kam parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori vëmendje në rrjetet sociale pas festimit të golit të parë të Kosovës në fitoren prej 3-2 kundër Irlandës së Veriut në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Pas ndeshjes, ai ka dhënë një intervistë në Klan Kosova duke shprehur entuziazmin e tij për triumfin, por edhe duke analizuar takimin.

“Ndeshje më të bukur moti nuk kam parë”, nisi deklaratën e tij kryeministri duke shprehur keqardhje për teleshikuesit që nuk kanë mundur të jenë në stadium për ta shijuar të gjithën.

Ai tutje bëri edhe analizën e lojës duke përmendur precizitetin në pasime, porse theksoi se edhe irlandezët në 20 minutat e fundit bënë paraqitje të mirë.

Kryeministri përmendi edhe katërvjetorin e vdekjes së legjendës Fadil Vokrri duke thënë se në këtë datë kjo fitore shijohet akoma më shumë.

Lexo po ashtu Reagimi i kryeministrit Kurti pas golit të parë të Kosovës

Kurti thotë se na duhet një stadium shumë më i madh nëse djemtë vazhdojnë të luajnë kështu, sepse kapaciteti i stadiumit nuk është i mjaftueshëm.

Loja ishte ekipore dhe pasimet e sakta e bënin lojën të mirë, sipas Kurtit, i cili nuk e ka veçuar asnjë lojtar pasi meritat i takojnë gjithë skuadrës. /Telegrafi/