Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Aleanca Veri Atlantike (NATO) ishte jetike për Kosovën gjatë vitit 1999.
Në një shkrim në Twitter, Kurti tha se edhe pas 24 viteve, NATO-ja ka rol jetik në ruajtjen e sigurisë për Kosovën.
Këtë kreu i Qeverisë e tha pas takimit me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta NATO-s në Napol.
“Nga ndalimi i gjenocidit në ’99 deri tek mbështetja e sigurisë së Kosovës, NATO është një pjesë jetike e së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes sonë”, ka shkruar Kurti.
Kurti i cili është pjesmarrës në Konferencën e Sigurisë në Mynih, gjatë ditës së djeshme, ka takuar përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Në këtë takim, sipas kryeministrisë, u diskutua për procesin e dialogut dhe propozimin evropian dhe “për takimin e radhës në Bruksel të thirrur për 27 shkurt nga Bashkimi Evropian”.
Për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u fol gjithashtu në Mynih të Gjermanisë në takimin mes Kurtit dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Pos tyre, Kurti pati takime edhe me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, zëvendëskryeministrin e Italisë, Antionio Tajani, i cili është dhe ministër i Punëve të Jashtme, si dhe kryeministrin e Suedisë, Ulf Kristersson.
Me këtë të fundit u bisedua për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian, dhe për rëndësinë e integrimit të mëtejmë të Kosovës në organizata ndërkombëtare./Telegrafi/
From stopping genocide in ’99 to supporting Kosova’s security, @NATO is a vital part of our past, present & future. As I discussed w/ @JFC_Naples Commander Munsch, we’re ready to give back. This year Kosova will once again be a participant & host country of Defender Europe 23. pic.twitter.com/SZzWWHkhKR
— Albin Kurti (@albinkurti) February 19, 2023