Site icon Telegrafi

Kurti mori pjesë në manifestimin kushtuar 70-vjetorit të themelimit të Medresesë Alauddin

Kryeministri Albin Kurti mori pjesë sot në manifestimin kushtuar 70-vjetorit të themelimit të Medresesë Alauddin në Prishtinë.

Në ceremoninë e organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), kryeministri Kurti tha se para një çerek shekulli, Medreseja Alauddin ishte vendi i kuvendit politik e kombëtar për rezistencë dhe liri.

Ai tha se mund të krijohet përshtypja e gabuar sikur historia e medreseve në Prishtinë dhe Kosovë është vetëm kaq e vjetër, duke përmendur se qysh në mes të shekullit 15, ky lloj i shkollimit që përbashkon frymën fetare islame me dijet shkencore e filozofike, iu shtua Prishtinës që në atë kohë kur edhe e mori statusin e kasabasë.

“Sot, më shumë se një shekull pas, mes medresantëve këtu, ka nxënës po kaq të shkëlqyer dhe edhe më shumë të përkushtuar për dije. “Leximi”, në formë urdhërore si fjala që hap tekstin e Kuranit dhe këshilla e Muhamedit për të kërkuar dijen deri në fund të botës, besoj se janë motiv nismëtar për medresantët këtu, bashkë me synimin për emancipim dhe kontribut dhënie në shoqëri,” tha Kurti.

Ai theksoi se duhet ta mirëmbajmë veten si shembull për harmoni ndërfetare, shembull për demokraci dhe shembull që besimi dhe tradita fetare, çfarëdo qofshin ato, mund të përjetohen në mënyrë origjinale edhe në kohërat moderne.

Exit mobile version