Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar politikanët nga Europa dhe SHBA për letrën e dërguar në Bruksel, Washington dhe Londër, përmes së cilës kërkohet qasje e barabartë ndaj Kosovës dhe Serbisë dhe ku ankohen për anim kah Beogradi.
Kurti i ka falënderuar me emra tre nga më kryesorit e kësaj letre, si dhe të gjithë nënshkruesit e tjerë. Ai ka përmendur edhe kërcënimin që vjen nga Serbia.
“Faleminderit Alicia Kearns [deputete britanike], Senatorit [amerikan] Bob Menendez dhe Michael Roth [Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut gjerman], si dhe pjesa tjetër e kryetarëve të komisioneve të punëve të jashtme dhe parlamentarëve të lartë të cilët kanë bërë thirrje për solidaritet me Kosovën dhe një qasje ndaj rajonit më të vëmendshme ndaj kërcënimit që vjen nga qëndrimi dhe veprimet agresive të Serbisë”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Thank you to @aliciakearns @SenatorMenendez, @MiRo_SPD & the rest of the chairs of foreign affairs committees & senior parliamentarians who have called for solidarity w/ ?? & an approach to the region more attentive to the threat posed by Serbia’s aggressive stance & actions.
— Albin Kurti (@albinkurti) August 8, 2023
Më 7 gusht, dhjetëra politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara i dërguan një letër shefit të diplomacisë të bllokut evropian, Josep Borrell, kryediplomatit amerikan, Antony Blinken, dhe atij britanik James Cleverly. Përmes kësaj letre, ata kërkuan ndryshim të qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Deputetja britanike, Alicia Kearns, që publikoi letrën, tha se atë e kanë nënshkruar dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë.
“Qasja aktuale nuk po funksionon. Ne kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtar që të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurohemi që ne nuk do të miratojmë politika për Ballkanin që anojnë nga Beogradi. Ne po ashtu u kërkojmë që të shqyrtoni mundësinë e miratimit të një politike të diplomacisë parandaluese për të shmangur përshkallëzim të mëtejmë të situatës së sigurisë dhe asaj politike në veri të Kosovës, me balancë dhe proporcionalitet në çdo deklaratë dhe çdo ndëshkim apo sanksion që ndërmerret, dhe që ata të cilët respektojnë sundimin e ligjit dhe demokracinë të mos ndëshkohen”, u tha ndër të tjera në letër.