Telegrafi

Kurti: Mirëpres riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën nga “Trekëndëshi i Vajmarit”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur deklaratën e përbashkët të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë, të cilat kanë bërë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën, përkushtimin ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Këto tri vende, të cilat ndryshe edhe quhen “Trekëndëshi i Vajmarit”, përveç thirrjes për progres në liberalizimin e vizave për Kosovën, në deklaratën e së premtes kanë theksuar nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugën e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon.

Lidhur me këtë, kryeministri Kurti përmes një postimi në Twitter, ka thënë se mirëpret riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, përkushtimin e qartë për zgjerimin e BE-së.

“E mirëpres riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, përkushtimin e qartë për zgjerimin e BE-së, Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal nga ministrat për Çështje Evropiane të Trekëndëshit të Vajmarit. Pres me padurim vizitën e tyre të përbashkët”, ka shkruar Kurti, transmeton Telegrafi.

Franca, Gjermania dhe Polonia përmes një deklarate të përbashkët kanë bërë thirrje për progres në procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën.

“Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratën e 16 shtatorit.

Këto tri shtete thonë po ashtu se një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë është e nevojshme për përparimin e dy vendeve.

“Ne e mbështesim plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja dhe theksojmë nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i lejon Kosovës dhe Serbisë të përparojnë në rrugët e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon”, vazhdon deklarata e përbashkët.

Vendet janë pajtuar për një vizitë tripalëshe në Ballkanin Perëndimor.

Ndryshe nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është e vetmja që nuk ka liberalizim vizash me BE-në.

Rezerva të mëdha kanë shprehur më herët Franca dhe Holanda.

Kosovës i janë vendosur dhjetëra kritere, edhe shtesë, të cilat, sipas Komisionit Evropian, janë plotësuar. Megjithatë, nga viti 2018, shtetet e BE-së nuk kanë arritur pajtim për t’iu mundësuar kosovarëve lëvizje të lirë.

Aktualisht, Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim -Asociimi (MSA) me BE-në, e cila është marrëveshje e vetme kontraktuale midis dy vendeve.

Kjo marrëveshje njëherësh është edhe hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok. /Telegrafi/