Site icon Telegrafi

Kurti mirënjohës ndaj Çekisë për kontributin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot ministrin për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvorak.

Në fillim të takimit, kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje përsëri në Kosovë ministrit Dvorak pas më shumë se dy dekadave.

Ai e falënderoi për punën dhe angazhimin e tij të madh në një periudhë të vështirë për vendin tonë.

Martin Dvorak kishte shërbyer si administrator i Komunës së Istogut dhe Gjakovës ndërmjet vitit 1999-2002.

“Gjithashtu, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për Republikën e Çekisë për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë dhe vazhdon t’i jep Kosovës, përfshirë këtu kontributin e Çekisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë përmes misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit (EULEX), përkrahjen përmes votës në proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe tash së fundmi rolin e saj në procesin e suksesshëm të liberalizimit të vizave”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Kurti tutje e njoftoi ministrin çek me zhvillimet e fundit, progresin demokratik të evidentuar edhe sipas raporteve ndërkombëtare, rritjen e shënuar në indikatorët ekonomikë, arritjet dhe politikat kryesore të qeverisë, dhe e fushat me prioritet të këtij vitit e të cilat reflektohen edhe në ndarjet buxhetore për 2024.

Lexo po ashtu Ministri i Çekisë, Dvorak: Integrimi i Kosovës në BE është i lidhur ngushtë me dialogun

Ministri për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvorak u shpreh i lumtur për vizitën dhe mikpritjen, sa edhe për ndryshimet dhe zhvillimin në vend nga koha kur shërbente në Kosovë. Ai tha se Çekia është mbështetëse dhe mike e afërt e Kosovës dhe e integrimit të saj euro-atlantik.

Së bashku diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shtete, me theks tek mundësitë e avancimit të tyre.

Martin Dvorak kishte shërbyer si administrator i Komunës së Istogut dhe Gjakovës ndërmjet vitit 1999-2002.

Kryeministri në këtë takim ishte i shoqëruar nga ambasadorja e Kosovës në Çeki, Albesjana Iberhysaj, Kryetarja e Grupit të Miqësisë me Republikën e Çekisë, Arjeta Rexhepi dhe zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku.

Pas takimit me kryeministrin Kurti, ministri çek Dvorak po ashtu u mirëprit dhe nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi me të cilin zhvilluan një konferencë të përbashkët për media./Telegrafi/

Exit mobile version