Site icon Telegrafi

Kurti me ministra vizitoi familjet e dy dëshmorëve në Vushtrri: Me Afrimin e Enverin, festat e fundvitit do të ishin më të plota

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën dhe Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, sot vizituan familjet e dy dëshmorëve në Vushtrri.

“Afrim Bunjaku e Enver Zymeri janë dy emra heronjsh, që si oficerë policie ranë në krye të detyrës për sundimin e ligjit, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

I pari i ekzekutivit thotë se familjarëve të afrim Bunjakut iu shprehën mirënjohjen e thellë për sakrificën dhe kontributin e rreshterit të Policisë.

“Në Samadrexhë, gruas Lumnijes, vajzës Arbenitës dhe dy djemve Fatlumit e Jetlumit, motrës Fexhrijes si dhe të afërmve të tjerë, iu shprehëm edhe njëherë mirënjohjen e thellë për sakrificën dhe kontributin e rreshterit të Policisë, heroit tonë Afrimit. Aty shkuam bashkë me djalin e Enver Zymerit, Sokolin”.

Më pas ata së bashku vizituan familjen e Enver Zymerit.

“Nga aty, me dy djemtë e Afrim Bunjakut, Fatlumin e Jetlumin vizituam familjen e Enver Zymerit. Na pritën vëllau Egzoni, gruaja Drita, djali Sokoli, vajzat Luljeta e Rinesa, axha Ramadani dhe shumë të tjerë”.

“Enverin e kujtoj dy herë. Një herë për shërbimin dhe sakrificën e tij dhe një herë tjetër për Bacën Rremë, babain e tij, Muharremin, shokun tim të burgut, me të cilin e kam ndarë të njëjtën qeli për një vit, në burg të Serbisë, e i cili ndërroi jetë para dy vitesh”, ka shkruar tutje Kurti.

Ai thotë se festat e fundvitit do të ishin më të plota me Afrimin e Enverin, por ne nuk i harrojmë asnjëherë sepse ata janë historia krenare e Republikës sonë./Telegrafi/

Exit mobile version