Site icon Telegrafi

Kurti merr pjesë vetëm virtualisht në Samitin e Tiranës

Në Samitin rajonal mbi Planin e Rritjes në Tiranë nuk do të merr pjesë fizikisht kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, por ai do të jetë vetëm virtualisht përmes një video-adresimi.

Lajmin për Telegrafin e konfirmoi zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Sipas tij, për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri Kurti nuk do jetë i pranishëm fizikisht në samitin e sotëm në Tiranë.

“Megjithatë kryeministri Kurti do të jetë pjesë e samitit virtualisht përmes një video-adresimi”, ka thënë Kryeziu.

Ndryshe, sot në Tiranë mbahet Samiti rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ky samit mbahet një ditë pas atij Ukrainë-Evropa Juglindore në kryeqytetin shqiptar dhe do të ofrojë  mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.

Në Samit do të jetë i pranishëm edhe komisionari i Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi. /Telegrafi/ 

 

Exit mobile version