Telegrafi

Kurti merr ftesë për vizitë zyrtare në Estoni nga homologia e tij Kaja Kallas

Tjetër takim bilateral gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ka zhvilluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti zhvilloi takim me homologen e tij nga Estonia, Kaja Kallas.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se Kurti dhe Kallas biseduan për marrëdhëniet e mira në mes dy vendeve, për arritjet dhe sfidat e qeverive respektive gjatë vitit të kaluar, për menaxhimin e pandemisë, ringjalljen e ekonomisë dhe ballafaqimin me krizën globale energjetike, si dhe për situatën në Ukrainë.

“Kryeministri Kurti u shpreh se menaxhimi i suksesshëm i pandemisë dhe fushata e suksesshme e vaksinimit masiv të popullatës, së bashku me besimin e madh në institucionet qeverisëse, ka ndikuar në përgjigjen pozitive të ekonomisë së vendit gjatë viti 2021. Ndërkaq, qeverisja e mira dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit është pasqyruar edhe në raporte ndërkombëtare, sikurse ai i Transparency International, përkatësisht në indeksin e perceptimit të korrupsionit, në të cilin Kosova vitin e kaluar ka shënuar përmirësim rekord vjetor për 17 vende”, thuhet në njoftim.

Kryeministrja e Estonisë, Kallas e falënderoi kryeministrin Kurti dhe Republikën e Kosovës për marrëdhëniet e mira bilaterale.

“Për të diskutuar më gjerësisht mbi format e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, kryeministrja Kallas e ftoi kryeministrin Kurti për vizitë zyrtare në Estoni”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/