Telegrafi

​Kurti: Mbajtja nën kontroll e zjarreve sfidë e madhe, është evidente që komunat nuk kanë mjaftueshëm zjarrfikës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se janë në kontakt të vazhdueshëm me komunat që u përfshinë nga zjarri, ndërsa sipas tij janë mobilizuar maksimalisht dhe kanë kërkuar ndihmë nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe KFOR-i.

I pari i Qeverisë së Kosovës tha se është evidente që komunat nuk kanë mjaftueshëm zjarrfikës por që zonat e rrezikuara po ndihmohen nga komunat fqinje.

“Ministria e Punëve të Brendshme, ministria e Mbrojtjes, Agjencioni për Menaxhimin e Emergjencave janë po mundohen të bëjnë krejt çka munden bashkë me komunat. Është evidente që komunat nuk kanë mjaftueshëm zjarrfikës ndonëse mund të kenë pajisje të mjaftueshme prandaj edhe komunat fqinje po i ndihmojnë komunat e rrezikuara. Jam në kontakt të vazhdueshme me kryetarët e komunave dhe me mundësitë që kemi po bëjmë më të mirën”, u shpreh Kurti.

Për të mbajtur situatën nën kontroll, Kurti thotë të jenë mobilizuar maksimalisht ku edhe kanë kërkuar ndihmë nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe KFOR-i.

Ai ka përmendur edhe ndihmën e qytetarëve vullnetarë të cilët ndihmuan në shuarjen e zjarreve, për çka tha se mbajtja e zjarreve të egra paraqet një sfidë për shtetin.

“Ne tash si institucione po mobilizohemi maksimalisht kemi kërkuar edhe ndihmën e Forcës së Sigurisë së Kosovë madje edhe të KFOR-it por besoj që mbajtjen nën kontroll e këtyre zjarreve të egra paraqet një sfidë të madhe për shtetin tonë por duke falënderuar edhe qytetarëve dhe vullnetarëve kemi arritur që tash për tash mos te kemi dëme të mëdha materiale e sidomos të mos kemi dëme në njerëz”, tha Kurti para mediave.