Telegrafi

“Festivali i Tenisit 2022” mbyllet në Prishtinë, prezent kryeministri Kurti dhe zyrtarë nga MKRS dhe KOK

“Festivali i Tenisit” për vitin 2022 është mbyllur, aktivitet ky i organizuar nga Federata e Tenisit dhe i përkrahur edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Tennis Festival 2022” është mbajtur këtë vit në 12 Komuna anë e mbanë Kosovës, ndërsa përmbylljen e kishte në Prishtinë.

Aktiviteti ishte organizua nga Federata e Tenisit e Kosovës, me në krye me Jeton Hadergjonaj dhe nënkryetaren Blerina Mati, ndërsa sot në ditëm përmbyllëse ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Para të pranishmëve, Kurti tha se tenisi është një ndër sportet më të bukura dhe më të shëndetshme, si për t’u luajtur, por edhe për t’u shikuar. Andaj është ndjenjë e mrekullueshme për mua që t’ju shoh të gjithëve bashkë dhe të gatshëm për të luajtur tenis, shtoi ai.

Kurti rikujtoi se edhe ai ka luajtur tenis dhe se ka përcjellë yjet e mëhershme të tenisit, mirëpo ka thënë se kushtet tani janë shumë më të mira sesa atëherë kur improvizonin fushë tenisi në lagjen “Aktashi”.

“Aktiviteti fizik dhe sporti kanë rol kyç në zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të gjeneratave të reja. Përmes tyre krijojnë qëllime dhe marrëdhënie të shkëlqyeshme shoqërore, bëhemi shoqe e shokë me njëri-tjetrin, përkujdesemi për mirëqenien fizike, mendore dhe emocionale të të gjithë fëmijëve tanë”, tha kryeministri.

Duke folur për rolin edukativ të sportit, ai theksoi se jeta është një seri e fitoreve dhe e humbjeve, por sporti është mënyra më e mirë përmes së cilës njerëzit mësojnë se si të jenë modest kur fitojnë, e po ashtu të jenë me dinjitet edhe atëherë kur humbin, njofton Telegrafi.

 

Po ashtu nga MKRS ishte i pranishëm ministri Hajrullah Çeku, ndërsa ka KOK, Ismet Krasniqi (kryetar) dhe Besim Aliti (sekretar), ndërsa nga Komuna e Prishtinës, nënkryetari Komunes Alban Zogaj.